Të tjera detaje janë zbardhur lidhur me mënyrën se si e siguroi dhe e futi në burg armën Sokol Mjacaj. Në dëshminë e dhënë, drejtori i Burgut të Peqinit ka dhënë opsione, se si mund të ketë arritur arma tek i burgosuri përjetë, Sokol Mjacaj. 

Sipas drejtorit, Kamber Hoxha, Mjacaj ka treguar se e ka futur armën në burg para një muaji dhe e ka mbajtur të fshehur në kutinë e qumështit.  

“Unë kam komunikuar me Sokolin për rreth një orë e gjysmë, pasi ai u fut tek dhoma e takimit. Në komunikim ishte shumë i qetë. Më tha se armën e kam futur para një muaji dhe e kam mbajtur të fshehur në kutinë e qumështit. E bëra këtë kur mora lajmin nga mediat që u futa në 41-Biss”, ka dëshmuar Hoxha para prokurorisë. 

Mjacaj rezulton se ka bërë 5 takime për vitin 2023. I fundit ka qenë më 25 Gusht. Sa i përket futjes së ushqimeve kjo ka ndodhur nga dy persona. Vetëm një herë, më 1 Shtator, i ka dërguar i vëllai Paulin Mjacaj. Ndërsa në 4 raste të tjera ia ka dërguar një grua.  

Ajo është prezantuar si kushërirë e Mjacajt, ndërsa më 16 Nëntor, që rezulton edhe hera e fundit, është prezantuar si mikeshë. Sipas Hoxhës, gruaja në fjalë quhet Ilda Rapo. 

“Nga verifikimi për futjen e ushqimeve, nga data 01.09.2023 deri sot ka futur ushqime në datën 01.09.2023, 14.09.2023, 22.09.2023, 03.10.2023 dhe 16.11.2023. Në datën 01.09.2023, i ka sjellë i vëllai Paulin Mjacaj, kurse në rastet e tjera i ka sjellë kushërira e tij me emrin Ilda Rapo. Kjo shtetase në katër raste është prezantuar si kushërirë dhe në datën 16.11.2023 është prezantuar si mikeshë. Personi që sjell ushqimet regjistrohet nëpërmjet kartës së identitetit dhe pyetet i burgosuri nëse është dakord që t’i pranojë ose jo ushqimet. Për rastin konkret, për periudhën që unë jam në detyrë nuk ka pasur rast të tillë, duke u bazuar në informacionin paraprak që kam marrë. Në dijeninë time për këtë periudhë nuk ka pasur asnjë konflikt”, tha drejtori.