BUKURESHT, 22 prill 2013 – Narkotrafikantët shqiptarë po shquhen dhe në nivel ndërkombëtar, teksa synojnë të tranzitojnë drogë në itinerarin Turqi-Rumani-Gjermani.

Prokurorët e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit të Rumanisë dhe policia gjyqësore kanë shkatërruar një organizatë kriminale të trafikimit të drogës të përbërë nga 6 persona, rumunë dhe shqiptarë, njofton portali anglishtfolës i Bukureshtit “Romania-Insider”, që i referohet një komunikate zyrtare.

Deri tani nuk bëhen të ditur emrat e të arrestuarve.

Anëtarët e grupit organizuan blerjen e një sasie 25 kilogramë heroinë nga Turqia për ta kaluar transit nëpërmjet Rumanisë në rrugë tokësore në drejtim të Gjermanisë.

Më 21 prill 2013 policia i kapi të pandehurit në flagrancë, në qytetin e Piteshti-t (Pitești), teksa po lëviznin me një autoveturë, në dyert e së cilës antidroga zbuloi heroinën e fshehur.

Ky lloj narkotiku kishte pastërti 80 për qind dhe vlera e tij arrin në 500 mijë euro.

Megjithatë, në Gjermani kjo sasi droge ka vlerën e rreth 900.000 eurove, sipas Qendrës Evropiane Monitoruese të Drogës.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/