Kryetari i Bashkisë së Lezhës ka folur në një prononcim për mediat mesditën e sotme, lidhur me situatën problematike të krijuar këtë të martë si pasojë e reshjeve intensive të shiut.
Ndreu u shpreh se, megjithëse ka zona të përmbytura, situata ende nuk është alarmante.
“Kjo është një situatë që ne e kemi paralajmëruar publikisht, është siç e keni parë, gjatë gjithë natës ka patur reshje. Ajo që është më serioze është që ka patur reshje edhe në zonat malore, që karikojnë të gjithë përrenjtë dhe lumenjtë që vijnë nga sipër, plus shkarkimet e hidrocentralit që kanë bërë punën e vet dhe jemi në një situatë problematike. Akoma nuk jemi në një situatë alarmante, sepse nuk ka banesa të identifikuara por ka zona që kanë toka nën ujë. Janë rreth 450 hektarë gjithsej në territorin e Lezhës. Të gjitha forcat e bashkisë janë në terren, kudo, duke kontaktuar me banorët. Sepse kryesore është të ndërhyhet sa më shpejt, nëse rrezikohet ndonjë nga banorët.”, tha Ndreu.





