Tiranë, 25 korrik 2014 – Deputeti socialist, Pjerin Ndreu, sqaron arsyet e mospjesëmarrjes në seancën e djeshme parlamentare. Ndreu, njëri prej pesë deputetëve “rebelë”, shkruan në profilin e tij në Facebook se mbështetja e tij ndaj kryeministrit Rama është e padiskutueshme dhe shton se qëndrimet e tij janë parimore dhe pas tyre nuk fshihet asnjë interes. Ndreu thekson se e vetmja gjë që ka kërkuar është vëmendja ndaj elektoratit të zonës së tij (Kamëz, Paskuqan) , si një ndër më të lënat pas dore. Deputeti socialist thekson se askush nuk duhet të përpiqet të gjejë shantazhe apo interesa të ngushta në qëndrimet e tij dhe shton se ka zgjedhur t’i thotë gjërat hapur dhe jo duke u bërë pjesë e kulisave.
Postimi i plotë
Jam i detyruar të prononcohem publikisht në lidhje me disa interpretime lakejsh dashakeqe për mospjesëmarrjen time të djeshme në votim:
1-Asnjëherë nuk e kam vënë në dyshim mbështetjen ndaj Edi Ramës dhe nuk do ta vë gjatë mandatit tim të deputetit. Por kam preferuar si pak kush t’ia them gjërat në sy e jo kulisave e tavolinave si shumë servile e të pazotë që flasin dhe hedhin helm pas dhe e fërkojnë në sy. Unë nuk jam e s’kam për të bërë pjesë në këtë llum asnjëherë !
2-Në jetën time nuk kam shantazhuar e as vënë kushte askujt. Dje askush nuk ka dëgjuar nga unë kushte për poste, për para apo privilegje. Kam kërkuar vetëm vëmendjen e duhur ndaj zonës time elektorale si ndër më të varfrat, më të lënat pas dore dhe më pak të trajtuara gjatë kësaj kohe. Në asnjë rast gjatë kohës time në PS nuk kam kërkuar asnjëherë asgjë të vetme as për vete e as për familjen time, kurrë. Por për zonën ime elektorale s’më ndalon njeri të “ulëras” kur disa vemje politike i fyejnë me zhargonin e shëmtuar “malokë’ dhe i përbuzin çdo ditë..!
3-Ka shumë njerëz që s’më duan, janë xhelozë, janë intrigantë, por ky nuk është problemi im ! Unë jam ky që jam, dhe nuk ndryshoj, nuk fle në këmbë e nuk bëj kompromise të pista me askënd, flas hapur e nuk më ndalon njeri e s’ka për të më ndaluar kurrë me çdo lloj kostoje. Shumë kujt i vras sytë e veshët por unë ndjehem komod me veten se nuk jam hipokrit. Unë respektoj, por nuk bëhem ushtar i verbër i askujt. Prandaj stop abuzimit me emrin tim e veprimet e mia. Janë të pastra si kristali dhe me qëllime parimore e të drejta ! Askush nuk mundet t’i ndotë, askush..!
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





