Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh

Kur shkruajta për Qemal Domin, Bardha e shoqja e tij, më solli një foto që më ngelën sytë. Kur bashkohet me të tjerat, sikur humbet paksa dhe e ndave veç. Dhe menjëherë e rimora dhe e vendosa në një pozicion malli. Foto është bërë në vitin 1980. Pozicioni shumë i veçantë. Është tek gjimnazi i vjetër “16 shtatori”. Sfond kodrinor është i mrekullueshëm. Dhe të 37 vetët e kësaj fotoje, që kullon lëng të pastër kujtese e malli, m’u si mjalti që del nga hojet, duke u çfaqur si shqiponja që janë vendosur në zemrën e qytetit, me tradita të shkëlqyera të qytetarisë dhe civilizimit.

Flokë të thinjura të moshuarish, veçanërisht të shtatë mësuesve dhe pedagogëve të njohur, duke mbajtur peshën e rëndë të kulturimit dhe arsimimit të brezave nxënësish. E shikoj foton dhe si një ekran gjigand, filloj e flas me të. Sigurisht është një brez që luan me mua 10 vite më përpara. Sa nevojë kanë t’u shprehësh mirnjohje dhe t’ia vendosësh respektin, m’u në atë shpirtin e tyre ku rrjedh dashuria e pafund për Durrësin dhe durrsakët.
Të shtatë mësuesit janë Petrit Velaj, Pertef Kruja, Zeqai Spahiu, Burhan Kaduku, Kasiani Gjini, Ilia Jorgo dhe Ligor Prifti. Këto vendosur këtu në këtë foto muzeale. Por janë të tjerë të mrekullueshëm si Bashkim Taga, Sul Demiri, Ali Kovaçi, Mustafa Gërcalliu, Matish Gjeluci, Petrit Çela, Fatmir Sukaj që mungojnë këtu, por jo në atë që quhet krenaria e arsimit durrsak.

Më tërheqin vëmëndjen disa tregues që do t’i përmënd në këto rradhë, ku janë vendosur 37 personazhe jetësore, me ndikim në atë që quhet arritje e qytetarisë durrsake. Vështroni me kujdes, se ku janë vendosur mësuesit, mezi ju duken kryet. Me përjashtim të Petrit Velajt që është pozicionuar, 6 të tjerët janë të “fshehur”. Si kuptohet kjo? Respekt për nxënësit.

Kjo tregon gjithashtu se, thjeshtësia dhe kultura që kanë nuk është fallco, por është në ADN-në e tyre. Ato jnë mësuesit e këtyre nxënësve, nuk janë të parët mbi to. Atyre u mjaftojnë të gëzohen nxënësit të parët, pasi kështu atyre u bie të gëzohen më shumë. Kështu gjykojnë dhe mendojnë të mënçurit, që nuk e kanë kërkuar respektin duke i rënë gjoksit, për t’u shitur pak mënd nxënësve që kanë patur nevojë për mësimdhënien e tyre.

Në vitin 1980, ky brez ishte më pak se gjysëmshekullor. Çfarë madhështie fizike që kanë! Të qeshur dhe të kënaqur për pikpjekjen e tyre. Sa dashuri dhe respekt ka në këtë pamje! Më bën shumë përshtypje kjo. Miqësia e tyre është aq e pastër dhe pa interes, sa nuk e kupton se cili ka qenë në karierë, e cili jo, cilit i ka ecur jeta, e cilit jo, cili ka qenë në gjëndje, e cili jo. Këto nuk kanë rëndësi për këto 30 nxënës dhe nxënëse. Ato janë shënd e verë që takohen me njëri tjetrin. Është matura e vitit arsimor 1959-1960. Plot 62 vite të shkuara. Dhe piktakohen pas 20 viteve. Në pamjen e tyre ndjehet pesha e halleve dhe ngarkesave të jetës, por nuk i kupton. Gëzimi dhe kënaqësia i këtij takimi të përmallshëm, i ka shuar të gjitha këto.

Ç’gjë tjetër na ngacmon vëmëndjen? Pozicioni që merituan këta 30 nxënës në jetë, është shprehje e nivelit të lartë të mësimdhënies, por edhe të kulturës dhe edukatës së transmetuar nga këta fisnikë të arsimit durrsak. Fëmija, thuhet që është pasqyra e prindërit. Për ekuivalencë në këtë rast, mbetet e saktë që nxënësi është pasqyra e mësuesit. Këta të 30-tët e kësaj fotoje, e ngasin këtë argument.

Mësuesit e gjimnazit nostalgjik dhe të vetëm për durrsakët “16 Shtatori”, janë themeltar të kapitullit më avancues të arsimit durrsak. Emra të mëdhenj, që kanë brenda prezantime të mirfillta profesionistësh dhe që janë rrënjosur në themelet e arsimit të Durrësit. Kolosë të tillë si Petrit Velaj në matematikë dhe astronomi, Pertef Kruja në letërsi, Sul Demiri në histori, Ali Kovaçi në kimi, Burhan Kaduku në fizikë, Mustafa Gërcalliu, Matish Gjeluci, Kasiani Gjini në letërsi, Bashkim Taga në fizkulturë dhe sporte, Zeqai Spahiu në botanikë dhe darvinizëm, Ligor Prifti në gjeografi, Petrit Çela në vizatim teknik, jemi të detyruar ti përcjellim si kujtimi më i mirë i asaj që kanë bërë brez pas brezi.

Sa me fat kanë qenë këta nxënës, t’u jepnin mësim të veçantët e arsimit durrsak. Por akoma më me fat, kanë qenë që i kanë parë dhe biseduar me këto eruditë, të mirshkolluar vetë, por duke kërkuar imponimin e tyre, në mirshkollimin e këtij brezi të veçantë të qytetarisë durrsake.

Në këtë foto, e bërë nga një dorë profesionisti janë fiksuar emra të njohur. Shikoj në të mësues të matematikës, të famshëm si vetë përgatitësit e tyre. Kështu Bardhyl Ballanca, Fadil Marika dhe Vehip Bakiri. Vështroj në të Mihal Qerimin, një anglishtfolës hipnotizues, që arriti të jetë edhe në personelin e ambasadës shqiptare në Turqi. Kqyr me kureshtje dhe dalloj dy portrete të njohura. Janë Muhamed Laknori dhe Qemal Domi. Janë të mëdhenjtë e detarisë shqiptare. Kanë karierë të fiksuar brenda talentit të tyre në detari, ku shkollimet kanë prekur Akademitë e avancuara të kohës në Odesa të Ukrainës dhe Deiçan të Kinës.

Është këtu Sali Hidri, Profesor Doktor në shkencat historike dhe të kërkimeve arkeologjike, botues i mjaft librave dhe studimeve me vlerë. Çezar Biturku, inxhinjer elekronik, drejtues në Uzinën e famshme të Radiove dhe televizorëve, pedagog i jashtën më matematikën elektronike. Janë në këtë pamje edhe mjeku epidemiolog Bujar Laknori dhe stomatologu i njohur Viktor Ristani. Aty buzëqesh edhe mësuesja ime Flora Carapuli, që tashmë është në përjetësinë e saj.

Secili nga këto 30 nxënës të maturës shumë të njohur të fund viteve 50-të, është në historinë e tij të punës dhe të jetës. Kanë patur ulje dhe ngritje, por në këtë foto kanë dhënë më të mirën e tyre. Një bukuri shpirtërore, që ka brenda historitë, të qeshurat dhe trishtimin, harenë dhe dhimbjet, por që këtu çfaqen me kostumin e bukur të fisnikërisë qytetare të Durrësit.

Matura e vitit 1960! Mesazh i një shoqërie të pastër si kristal. Kujtime dhe mall. Dhe ne të tjerët gëezohemi me kënaqësinë e tyre. Jemi të një qyteti. Kemi shumë gjëra që na bashkojnë. Na vjen mirë që brezi para nesh, mbetet përjetësimi i fisnikërisë. Kjo është edhe ajo që kërkohet në jetë. Shembulli, që flet më shumë se një foto. E detyrueshme për ta kujtuar.

E përgjithkohëshme është vlera e saj. Ska më mirë!

Durrës: 7 prill 2022

Në pamje:
Ulur në gjunjë nga e majta: Kasem Dollia, Jorgo Kosta, Mihal Qerimi, Qerime Dino (nuk jeton), Hysen Demiri (nuk jeton), Bardhyl Ballanca, Fozi Hoxha, Tefta Bala, Faredin Teli (nuk jeton), Bujar Laknori.
Në rreshtin e dytë nga e majta: Dhimitraq Vasho (nuk jeton), Qemal Domi (nuk jeton), Teodor Ziu, Muhamed Laknori, Ylvije Haxholli, Sali Hidri, Eleni Peço, Mine Kasi, Bukurie Kthupi, Flora Carapuli (nuk jeton), Xhevahire Rexha, Shpresa Malile, pedagoge Kasiani Gjini (nuk jeton), Safete Zhabjaku, Diana Rruga, pedagogu Petrit Velaj (nuk jeton).
Lart nga e majta: Selaudin Sharra, pedagogu Burhan Kaduku (nuk jeton), pedagogu Pertef Kruja (nuk jeton), Fadil Marika, Viktor Ristani, pedagogu Ilia Jorgo (nuk jeton), Çezar Biturku, pedagogu Zeqai Spahiu (nuk jeton), pedagogu drejtor Ligor Prifti (nuk jeton), Mark Bala (nuk jeton).

Maj 1980