Procesi i konsolidimit të sektorit bankar e ka ulur pjesën e tregut të bankave më të mëdha. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se pesha e tre bankave më të mëdha ndaj totalit të aktiveve të sektorit ka zbritur në nivelin më të ulët të dekadës së fundit.
Në mesin e këtij viti, tre bankat më të mëdha të sektorit (BKT, Credins dhe Raiffeisen) zotëronin 55.83% të totalit të aktiveve të sektorit. Kjo është vlera më e ulët e treguesit në fjalë, qysh prej tremujorit të dytë të vitit 2014.
Nga ana tjetër, edhe pjesa e dy bankave më të mëdha ndodhet pranë niveleve më të ulëta historike. Në mesin e këtij viti, dy bankat më të mëdha të sektorit zotëronin 40.85% të totalit të aktiveve, shumë afër minimumit historik prej 40.68% që ishte regjistruar një vit më parë.
Me gjithë uljen e numrit të bankave në treg gjatë periudhës 2018-2022, treguesit e përqendrimit të tregut ngelen poshtë pragut të konkurrueshmërisë, mbështetur në metodat teorike të vlerësimit. Mënyra më e zakonshme për të matur shkallën e përqendrimit të tregut është Indeksi Herfindahl-Hirschmann (HHI), që ndërtohet si shuma e pjesës së tregut, të ngritur në fuqi të dytë, të secilës firmë. Pragu poshtë të cilit një treg përgjithësisht pranohet si konkurrues është 1500 ose 0.15.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në mesin e këtij viti treguesi HHI ishte në nivelin 0.14, pa ndryshime të mëdha që nga fillimi i vitit 2023. Megjithatë, po ta krahasojmë me vitin 2018, kur nisi cikli i bashkimeve brenda sektorit bankar, indeksi HHI ka rënë lehtë nga niveli prej 0.15 ku ndodhej në atë vit.
Për krahasim, në fillim të vitit 2018, dy bankat më të mëdha zotëronin rreth 45% të tregut, ndërsa tre bankat më të mëdha mbanin 57.6% të tregut.
Në vitin 2018, sektori bankar nisi një cikël konsolidimi që e uli gradualisht numrin e përgjithshëm të bankave. Nga 16 banka që vepronin në treg në vitin 2018, aktualisht numri i tyre është ulur në 11. Bashkimi i fundit ndodhi në fund të vitit 2022, kur banka hungareze OTP finalizoi procesin e blerjes së Alpha Bank Albania dhe bashkimin ligjor të bankës së blerë me filialin e saj shqiptar, OTP Albania.
Hyrja e investitorëve të rinj dhe bashkimet që krijuan banka më të mëdha nga përmasat kanë dhënë një efekt pozitiv në drejtim të rritjes së oreksit për rrezik dhe në kthimin e një cikli rritës të kredisë për ekonominë. Bashkimet mes bankave ekzistuese kanë ulur numrin e përgjithshëm të bankave, por kanë krijuar banka më të mëdha dhe më konkurruese. Kjo duket se është reflektuar në rënien e peshës së tregut të bankave më të mëdha në vend.
Ekspertët mendojnë se një konsolidim i mëtejshëm i sektorit bankar nuk mund të përjashtohet në një horizont afatmesëm. Rritja e fortë e kërkesave për kapital dhe nevojat e mëdha për investime, të lidhura sidomos me teknologjinë, e bëjnë më të vështirë për bankat e përmasave të vogla (sipas klasifikimit të Bankës së Shqipërisë, banka të vogla janë ato me më pak se 2% të tregut) të jenë konkurruese./Monitor