Shtetasi Bujar Shega, i cili është pjesë e grupit të Suel Çelës, është ekstraduar ditën e sotme nga Italia, me qëllim për t’iu dorëzuar autoriteteve shqiptare.

52-vjeçari ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”.

Sipas SPAK, Bujar Shega ishte një nga anëtarët me rol kyç në grupin e Suel Çelës, i cili ishte i angazhuar në planifikimin dhe ekzekutimin e veprave të rënda penale, përfshirë vrasje me paramendim dhe trafikun e narkotikëve.

Njoftimi i Policisë:

Interpol Tirana

Ekstradohet nga Milano, një 52-vjeçar i akuzuar nga GjKKO, për trafikim të lëndëve narkotike dhe pastrim të parave, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, u finalizua procedura e ekstradimit në Shqipëri, të shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, të arrestuar në Itali, M. Sh. alias B. Sh., 52 vjeç, i lindur në Elbasan.

Në vitin 2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.