UNESCO përfshiu zyrtarisht kuzhinën italiane në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit, duke njohur rolin e saj në shoqëri, kulturë dhe krijimin e identitetit.
Vendimi u mor unanimisht në takimin e Komitetit Ndërqeveritar të mbledhur në Nju Delhi të Indisë, ku nominimi i Italisë u prit me duartrokitje. Ky veprim njeh një sërë praktikash të përditshme të rrënjosura në historinë e vendit, bazuar në ndarjen e ushqimit, përcjelljen e njohurive gastronomike dhe vlerësimi për përbërësit – elementë këto që konsiderohen nga UNESCO si themelorë për kohezionin e komunitetit dhe konsolidimin e trashëgimisë jomateriale.
Me regjistrimin e saj në Listën e UNESCO-s, kuzhina italiane njihet si një sistem praktikash kulturore që e kapërcen sferën e ushqimit. Përgatitja, ritualet shtëpiake, kujdesi për përbërësit dhe shoqëria përfaqësojnë, sipas Komitetit, një tërësi shoqërore të aftë për të shprehur identitetin dhe përkatësinë. Për UNESCO-n, gatimi në stilin italian është një mënyrë për t’u kujdesur për veten dhe të tjerët, duke krijuar mundësi për lidhje dhe duke transmetuar kujtesën kolektive.
Kombinimi i recetave tradicionale dhe njohurive lokale, si dhe roli i familjeve në ruajtjen e teknikave të kuzhinës konsiderohet se kontribuojnë në përcaktimin e një trashëgimie dinamike, e cila ripërtërihet përmes përfshirjes së brezave të ndryshëm.
Një ditë më parë, UNESCO njoftoi se në listën e saj është përfshirë tashmë edhe arti i lahutës, një pasuri kjo, që siç thuhej në njoftim, duhet mbrojtur menjëherë si pjesë e trashëgimisë së paprekshme.





