TIRANE, 02 mars 2013- Partia Kristian Demokrate reagon për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj dhe shpreh indinjatën e saj, për atë që ata e quajnë shfrytëzim të kësaj vrasje nga Ministria e Brendshme.
Sipas PKD-së, “Insinuatat për ta bashkëlidhur vrasjen me emrin e partisë tonë janë sa të ulëta aq dhe perverse. PKD ka gjykuar të qëndrojë e paanshme me këtë proces duke lënë organet kompetente të bëjnë punën e tyre dhe të zbardhin të vërtetën. PKD e ka shprehur solidaritetin me familjen e të ndjerit Lamaj dhe forcat e rendit menjëherë pas ngjarjes së rëndë, nëpërmjet faqes së saj online dhe një komunikatë zyrtare të botuar në disa të përditshme”, thuhet në deklaratë.
PKD ndër të tjera konfirmon se Arben Frroku është një ndër kandidatët e ofruar për qarkun e Shkodrës, por ende emri i tij nuk është zyrtarizuar.
“PDK është aktive në jetën politike që nga 2001 dhe ka pasur në drejtim disa lider, njerëz të nderuar. Qënia e z.Mark Frroku si Sekretar i Përgjithshëm i këtij subjekti, është në përputhje me rregullat dhe statutin e kësaj partie. Arben Frroku ishte një ndër kandidaturat e ofruara për qarkun e Shkodrës, ende i pazyrtarizuar, ndërsa zyra e hapur i përket degës së Partisë Kristian Demokrate dega Shkodër. PKD kishte bërë prezente deri në këto momente qenien e saj në koalicionin e majtë duke gjykuar se rotacioni politik në kushtet aktuale të një krize shumëdimensionale është bërë domosdoshmëri jetike. Ngutja e policisë për ta ngushtuar rrethin e të dyshuarve vetëm tek z.Arben Frroku, ende pa u shqyrtuar provat, tentativa e disa krerëve të ekzekutivit për ti dhënë ngjarjes sfond politik, për të inkriminuar PKD-në, dhe në rezonancë opozitën, është një strategji e errët në stilin e ish-sigurimit të shtetit, të bërjes sa më shumë “koka turku” dhe heqjes së vëmendjes së njerëzve nga problemet konkrete . E njëjta strategji u përdor 4- vite më parë në rastin e vdekjes së aktivistit të Partisë Demokristiane, të ndjerit Aleks Keka, ku ende pa u bërë funerali makina shtetërore e përbalti në mënyrën më të keqe të mundshme. Në thelb kjo pasqyron kambanat e alarmit, të panikut që ka kapur kupolën e lartë të PD-së dhe mazhorancën e sotme për humbjen e mandateve në qarkun e Shkodrës, daljen në opozitë më 23 Qershor. Mendësia e PD-së që i shpall armiq të gjithë kundërshtarët politik dhe i jep certifikatë pafajësie të gjithë të korruptuarve, shpërdoruesve të përgjegjësive shtetërore me pasojë vrasjen e dhjetrave personave të pafajshëm, madje i bën sërish pjesë të kabinetit qeveritar është një nonsense, një precedent i rrezikshëm, baraz me instalimin e diktaturës”, thuhet në deklaratë.