Kryeministri Edi Rama këtë të hënë ka publikuar mesazhet e  dy prej kolosëve të skenës botërore, Ermonela Jaho dhe Placido Domingo, të cilët do të jenë në Tiranë në ceremoninë e inaugurimit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Sopranoja Ermonela Jaho ka thënë se ndihet e lumtur që do të marrë pjesë në hapjen e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit mes artistëve shqiptarë dhe legjendës së operës botërore Placido Domingo.

“Jam shumë e lumtur që të marr pjesë në hapjen e Teatrit tonë Kombëtar të Operas dhe Baletit në mes artistëve  të mi bashkëkombës dhe legjendës së operës botërore Placido Domingo. Falenderim i madh për të gjithë ato breza artistësh që themeluan dhe krijuan traditën e këtij institucioni. Kur punojmë të gjithë së bashku me të njëjtin qëllim asgjë nuk është e pamundur”, tha Jaho.

Ndërsa Domingo është shprehur: “Jam i nderuar të këndoj në ceremoninë “Grand Gala” në inaugurimin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit të Tiranës. Pas 5 vitesh ky teatër më në fund do të vijë në jetë dhe do të rikthehet për të mirëpritur performanca koncertale, opera  dhe baleti. Është një gëzim i madh për mua që të jem me ju për këtë mbrëmje speciale me kolegë të mrekullueshëm”.

Inagurimi i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të mbahet më 15 shtator.