Kryeministri Edi Rama, teksa është ndalur sot në ditën kundër dhunës ndaj grave nuk ka lënë pa shigjetuar atë që e ka cilësuar si plagën e madhe që ka vendi si pasojë e sistemit të korruptuar të drejtësisë, që dhunuesit e grave i shpall të pafajshëm.
Rama foli edhe për amnistinë e fundvitit që në fokus do të ketë pikërisht lehtësimin ndaj grave të dhunuara si dhe të moshuarve.
"Dy fjalë lidhur me momentin ku jemi për ditët e fushatës kundër dhunës ndaj grave. Pa dashur të marrë kohë me fjalët e përgjithshme dua të theksoj se edhe në këtë aspekt përsëri plaga e madhe e krijuar nga një sistem drejtësie i kalbur dhe korruptuar prek direkt integritetin fizik dhe dinjitetin e grave. Janë rrëqethëse dhe jo të pakta rastet kur dhuna ndaj grave ka kaluar mes sallës së gjyqit dhe dhunuesit janë shpallur të pafajshëm. Ashtu sikundër janë rrëqethëse rastet e përsëritjes së dhunës nga të njëjtë persona që kanë dalë të pafajshëm para gjyqit dhe janë rikthyer në sallën e gjyqit si dhunues përsëritës. Ky është një aspekt që prek të drejtën në këtë vend, do të adresohet me siguri me shumë drejtësi dhe efikasitet nga sistemi i ri i drejtësisë. Një grup kolegesh deputete së bashku me ministren e drejtësisë janë angazhuar në një proces pune për të rishikuar legjislacionin, për të ndërmarrë një hap domethënës në adresimin e dhunës ndaj grave, jo vetëm në aspektin e masave por edhe të mbështetjes ndaj tyre. Ministria e Drejtësisë është duke përgatitur edhe projektin e një amnistie të fundvitit që do të adresojë nevojën për të lehtësuar gratë e dhunuara si dhe më të moshuarit bashkë me to,"– tha Rama.





