Dy të rinj që ndodheshin në një disko në qytetin e Vlorës dhe mbanin me vete secili nga një pistoletë, në momentin kur panë që policia hyri brenda, kanë tentuar të fshehin armët. Por, nga nxitimi dhe pakujdesia, njëri prej tyre plagos pa dashje shokun tjetër.
Ngjarja ka ndodhur orët e para të mëngjesit të sotëm në diskon “Rosi”, ku u arrestuan Ernid Dredhaj 29 vjeç dhe Masimiliano Haxhiraj 21 vjeç, të dy banues në Vlorë.
Ka qenë një kontroll rutinë i policisë që i kapi mat të dy ata. Në momentin kur të rinjtë kanë parë prezencën e uniformave blu, dyshohet se Masimiliano Haxhiraj, në tentativë për të fshehur armën e tij pistoletë të llojit “Glok”, ka plagosur lehtë nga pakujdesia shokun e tij Ernid Dredhaj, në pulpën e këmbës së majtë.
Masimiliano Haxhiraj dhe Enrid Dredhaj, njihen nga policia si persona me precedentë penalë e kriminalë, të përfshirë në veprat penale “Krime kundër personave” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale:
– një armë zjarri Pistoletë të llojit “Zastava” (Enrid Dredhaj),
– një armë zjarri Pistoletë të llojit “Glok” (Masimiliano Haxhiraj),
– 20 fishekë të kalibrit 9 mm,
– një gëzhojë.