Një konflikt i ndodhur gjatë natës në Tepelenë ka lënë të plagosur tre persona, ndërsa Policia ka shpallur në kërkim pesë të dyshuar që dyshohet se morën pjesë në përleshje.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:10 të datës 31 korrik, për motive të dobëta.
Sipas hetimeve paraprake, gjatë konfliktit janë përdorur sende të forta, ndërsa tre persona kanë mbetur të dëmtuar.
Të plagosurit janë dy vëllezër dhe djali i xhaxhait të tyre, banues në Tepelenë. Ata janë transportuar në spital, ku po marrin ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Pas veprimeve hetimore të kryera nga grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë, Policia identifikoi autorët e dyshuar dhe shpalli në kërkim pesë persona të përfshirë në konflikt.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se, gjatë përleshjes, njëri prej të dyshuarve ka qëlluar me armë zjarri në ajër. Vijojnë kontrollet për kapjen e tyre, ndërsa hetimet janë në vazhdim për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.





