Babë e bir janë arrestuar në flagrancë në Dimal pasi gjatë një konflikti kanë plagosur me mjet prerës (thikë dhe kosore), fqinjët e tyre. Policia bën të ditur se Bastri Xhalili 65 vjeç (i dënuar më parë) dhe Emiljano Xhalili 24 vjeç, (babë e bir), të dy banues në fshatin Goriçan, Dimal, arrestohen për veprën penale “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë”, në bashkëpunim” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Këta shtetas dyshohet se mbasditen e djeshme, kanë shkuar me mjete prerëse (thikë dhe kosore), në banesën e shtetasit S. Xh., dhe pasi janë konfliktuar, kanë plagosur me mjet prerës (thikë dhe kosore), shtetasit S. Xh., 49 vjeç., J. Xh., 24 vjeç (babë e bir) dhe E. Xh., 18 vjeç, (i afërm i tyre, i cili ndodhej në banesën e shtetasit S. Xh, kur ndodhi konflikti). Të dëmtuarit kanë marrë mjekim në Spitalin Rajonal Berat dhe janë jashtë rrezikut për jetën.