4nëntor 2015 – Dy të rinj janë plagosur me armë zjarri mbrëmjen e sotme në periferi të Tiranës. Mësohet se ngjarja ka ndodhur në lokalin e shtetasit L.T në Bathore, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri janë plagosur kushërinjtë Vladimir dhe Sajmir Kalaveri, 25 dhe 27 vjeç.
Burime nga policia e Tiranës bëjnë të ditur se autori i ngjarjes dyshohet të jetë shtetasi Elson (Gazmir) Daci, i cili është shpallur në kërkim, raporton Balkanweb.
Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe po vijon hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e krimit. Sipas hetimeve të para, dyshohet se ngjarja i ka fillesat në një konflikt mes palëve jashtë vendit. Ndërkohë policia ka shoqëruar në komisariat 10 persona që mendohet se kanë dijeni për ngjarjen.
/portali DurresLajm/