MAT– Shefi i krimeve të policisë së Burrelit ka mbetur i plagosur rëndë, pas një beteje të armatosur me një bandë kriminale në Mat.
Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë pasdites së djeshme në fshatin Suç, ku policia kishte organizuar një operacion për arrestimin e disa personave të kërkuar.
Në momentin e startit të operacionit, të kërkuarit kanë qëlluar me armë ndaj policisë e cila po ashtu i është përgjigjur me zjarr. Gjatë shkëmbimit të zjarrit është plagosur rëndë shefi i krimeve që drejtonte edhe operacionin, oficeri Musa Skura. Ndërkohë që i plagosur lehtë ka mbetur edhe njëri prej autorëve të ngjarjes, kurse anëtarët e tjerë të bandës janë vënë në pranga.
Mendohet se ndaj oficerit Skura, kanë qëlluar shtetasit Vilson Milkurti dhe Fitim Alla, të cilët tashmë janë në qelitë e komisariatit të Burrelit nën masa të larta sigurie.
I plagosur Skura, pas mjekimeve paraprake në spitalin e Burrelit është përcjellë mbrëmjen e djeshme për në spitalin ushtarak me helikopter ku i është nënshtruar një ndërhyrje të specializuar për heqjen e plumbave. Burime spitalore bënë me dije se gjëndja e tij është e rëndë por të paktën momentalisht nuk përbën rrezik për jeten. Ndërkohë që policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje të rëndë ku viktimave e plumbave të bandës kriminale ka mbetur një officer i policisë.
Ditën e sotme janë zbardhur detaje të operacionit të policisë së Burrelit mbrëmjen e së dielës, ku mbeti i plagosur shefi i krimeve, Musa Skura. Burime të policisë bëjnë të ditur për NEWS-24 se forcat e rendit ndodheshin pranë fshatit Suç pas sinjalizimeve për grabitje të shpeshta me maska në aksin Burrel-Klos.
Mësohet gjithashtu se shefi i krimeve Musa Skura ka qenë duke udhëtuar me një makinë civile, kur është hasur me dy persona të cilët kishin dalë të armatosur dhe të maskuar në këtë aks. Teksa ka kërkuar dorëzimin e tyre, shefi i krimeve është qëlluar nga një person i tretë, i cili ishte fshehur rreth 10 metra në anë të rrugës.
Pikërisht në këtë moment Musa Skura është plagosur me disa plumba në trup. Plumbat kanë prekur aksidentalisht edhe njërin prej grabitësve. Pas kësaj ka nisur shkëmbimi i zjarrit mes forcave të tjera të policisë që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes dhe grabitësve. Ndërkaq edhe në mëngjesin e sotëm ka pasur forca të shumta të policisë dhe RENEA-s në vendin e ngjarjes për mbledhjen e provave të tjera materiale, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes.
MJEKËT: MUSA SKURA ENDE NË RREZIK PËR JETËN
Shefi i krimeve në policinë e Burrelit, Musa Skura, iu nënshtrua një operacioni të vështirë mbrëmjen e djeshme në spitalin ushtarak në kryeqytet. Sipas mjekut reanimator Bardh Kurti, Skura u paraqit në spital në gjendje shoku hemorragjik, ndërsa plumbat i kishin prekur disa organe. Sipas mjekut, gjendja e shefit të krimeve është e stabilizuar, por nuk është tejkaluar ende rreziku për jetën.
“Pacienti kishte dëmtim të veshkës së djathtë, e cila iu hoq farë, dëmtim të stomakut që iu qep, çarje të zorrëve të trasha dhe të holla të cilat u qepën. Mori rreth 9 qese gjak. I sëmuri është në parametra stabël, por situata mbetet e rëndë, për shkak të dëmtimit të shumë organeve. Ka ende rrezik për jetën, pasi ka komplikacione respiratore.”- bëri të ditur mjeku.
Sipas mjekut Kurti, momentalisht nuk është i nevojshëm transportimi jashtë shtetit.
ARRESTIMI
Ndërkohë forca të shumta të policisë së Burrelit dhe të Dibrës u vunë në ndjekje të personave që shkëmbyen zjarr me policinë. Burimet e policisë deklarojnë se është arrestuar i plagosuri Fitim Alla si dhe një tjetër agresor, Vilson Milkurti. Në orët e vona të mbrëmjes, RENEA arrestoi dhe 22-vjeçarin, Rigert Lifja. Po të njëjtat burime thonë se është bërë krehja e gjithë zonës dhe se janë ngritur postblloqe të shumta në rrugën Burrel-Klos dhe në akset rurale. Kjo, me qëllim vënien në pranga të autorëve të tjerë të krimit.





