Plagoset me armë gjahu një 31-vjeçar nga Maminasi. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme, ndërkohë që autori i plagosjes Hamid Bala, 27 vjeç, banues në fshatin Karpën-Maminas të Shijakut është arrestuar nga policia.

Nga burime zyrtare policore, mësohet se pas arrestimit, autori ka deklaruar në polici se e ka plagosur padashje në këmbë 31-vjeçarin me iniciale B.B. Sipas dëshmisë së tij, Bala kishte dalë për gjah dhe ka qëlluar gabimisht në drejtim të të riut.

Por ndaj Hamid Balës nuk rëndon vetëm akuza e plagosjes. Kur uniformat blu shkuan në banesën e tij, aty u konstatua një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, si dhe u gjetën arma e krimit së bashku me 53 fishekë dhe një gjerdan për fishekë armë gjahu.

Ndërkohë, për të riun nga Maminasi raportohet se ndodhet në spitalin Ushtarak Tiranë jashtë rrezikut për jetën.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës  për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.