SHKODER, 19 prill 2013– Një biznesmen në fushën e ndërtimit është plagosur me armë zjarri gjatë orëve të natës në qytetin e Shkodrës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:30 në afërsi të tregut të Zdrales ku biznesmeni Besnik Fangaj ishte duke u kthyer në banesën e tij kur është qëlluar me 6 plumba pistolete nga persona ende të paidentifikuar të cilët janë larguar menjëherë nga vendngjarja me një automjet.
Biznesmenit të plagosur i kanë ardhur në ndihmë rojet private që gjendeshin aty pranë dhe e kanë dërguar në urgjencën e spitalit rajonal të Shkodrës ku menjëherë i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe më pas është dërguar në reanimacion.
Sipas bluzave të bardha gjendja e të plagosurit është mjaft e rëndë pasi plumbat i kanë prekur disa organe në trup.
Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie të cilat nga këqyrja e vendit të ngjarjes gjetën 6 gëzhoja pistolete TT, të cilat i përkasin armës së krimit.
Gjithashtu blutë kanë marrë në pyetje edhe rojën e objektit ku banonte biznesmeni nëse e ka parë atentatorin apo ndonjë lëvizje të dyshimtë gjatë kësaj ore përpara blloqeve të pallateve ku ndodhi ngjarja.
Nga ana tjetër efektivët e policisë pritet të marrin edhe filmimet e kamerave të sigurisë të disa objekteve që gjenden pranë vendit të ngjarjes, për të identifikuar autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë.





