Momente paniku për ish-futbollistin e Turqisë, Serhat Akin. 43-vjeçari u plagos mbrëmjen e së enjtes me armë zjarri, pasi kishte përfunduar një emision sportiv.
Gjatë kohës kur ish-lojtari i Fenerbahce po shkonte te makina e tij, një person i maskuar e qëlloi atë me armë zjarri, duke e plagosur në këmbën e djathtë.
Autori u largua menjëherë, ndërsa Akin u transportua me urgjencë në spital, ku mori ndihmën mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën.
“Më gjuajtën në këmbë pas programit, fjala jonë e fundit është Fenerbahçe”, deklaroi Akin në reagimin e parë.
Ende nuk dihen arsyet që sollën këtë plagosje, por nuk përjashtohet mundësia që të jenë për shkak të ndonjë deklarate të ish-futbollistit, për Fenerbahcen.