TIRANE, 04 mars 2013- Kryeplaku i fshatit Kodër Bërxullë, Agim Daci është plagosur me armë zjarri mesditën e sotme nga një bashkëfshatar, ndërkohë që ka mbetur i plagosur edhe shtetasi Altin Loci i pranishëm në vendngjarje. 

Burime policore bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Kodër Bërcullë.

Nga hetimet paraprake mësohet se kryeplaku Agim Daci, i cili shoqërohej nga shtetasi Altin Loci, mik i tij kanë shkuar në tokën e shtetsit Riza Haka me qëllim vendosjen e disa shtyllave ndarëse për kufirin e një sipërfaqe toke.

Haka i cili kishte një konflikt me kryeplakun për këtë cështje ka kundërshtuar dhe ka qëlluar me armë zjarri ndaj dy shtetasve.

Si pasojë ka mbetur i plagosur rëndë kryeplaku, ndërsa është plagosur në këmbë miku i tij Loci. 

Policia e Tiranës menjëherë pas ngjarjes ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e plagosjes, Riza Haka, ndërkohë që pak minuta pas ngjarjes së rëndë forcat e Komisariatit Numër 5 bënë të mundur arrestimin e tij pak metra larg vendit të ngjarjes. 

Kryeplaku i plagosur është shtruar urgjent në Spitalin Ushtarak, ndërkohë që mësohet se po i nënshtrohet një operacioni si pasojë e plagëve të marra dhe gjendja e tij është e rëndë për jetën.