Një 55-vjeçar është plagosur me armë zjarri pas një konfliktim për motive të dobëta në afërsi të fshatit Dëllenjë në Vlorë.

Policia njofton se ka bërë të mundur arrestimin e 58-vjeçarit me iniciale S.Gj., banues në Delisuf i dyshuar si autor i ngjarjes.

Ndërkohë i plagosuri është transportuar në spitalin e Vlorës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

NJOFTIMI I POLICISË:

Pas marrjes së njoftimit se në vendin e quajtur “Lumi i Kripës”, në afërsi të fshatit Dëllënjë, është plagosur me armë gjahu shtetasi V. H, menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë të cilat bënë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar.

Falë reagimit në kohë dhe punës profesionale u bë e mundur shoqërimi i autorit të dyshuar, shtetasit S. Gj., 58 vjeç, banues në Delisuf, i cili gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, dyshohet se ka plagosur me armë gjahu çifte, shtetasin V. H., 55 vjeç, banues në Novoselë, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e gjahut çifte (të cilën ky shtetas e posedonte me leje). Shtetasi S. Gj., u shoqërua në Komisariatin e Policisë Vlorë për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale hetimore.