Tiranë, 12 mars 2014 – Një vajzë 29-vjeçare ka mbetur e plagosur me armë zjarri në afërsi të ish-ekspozitës në Tiranë. Sipas policisë e plagosur është shtetasja Alma Beqaj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 19:30 minuta.
Burime nga policia e kryeqytetit kanë bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur në një pallat pranë Gjykatës së Shkallës së Tiranës në një call center. Mësohet se e reja është plagosur në këmbë. E plagosura është dërguar në Spitalin e Traumës ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policie që kanë nisur hetimet në lidhje me ngjarjen. Paraprakisht hetimet janë përqendruar në pistën e konflikteve për shkak të marrëdhënies së punës ose për motive të dobëta. Personi që ka qëlluar ndaj 29 vjeçares ende nuk është kapur nga policia.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





