Një efektiv policie ka mbetur i plagosur me kaçavidë pasditen e djeshme në Tiranë.
Lajmi konfirmohet për tv “News24” nga banorë të zonës, dëshmitarë në ngjarje, ndërsa policia ende nuk e ka konfirmuar si rast.
Sipas “News24”, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:30 te parku i vjetër i autobusëve, te kryqëzimi që lidh rrugën “Babë Rexha” me “Kongresin e Lushnjës”.
Efektivi i identifikuar me emrin Alban është plagosur në krahun e majtë, ndërsa banonte pranë vendit ku ndodhi ngjarja.
Gjatë kohës që është goditur me kaçavidë efektivi ka tentuar të marrë pistoletën që kishte në çantë, por autorët ia kanë marrë duke ia drejtuar atij. Autorët e dyshuar kanë marrë me vete pistoletën e efektivit dhe janë larguar me shpejtësi.
Paraprakisht konflikti dyshohet të ketë ndodhur për motive të dobëta, ndërsa ende nuk ka denoncim për rastin.





