Plagoset rëndë me armë zjarri një i ri shqiptar në qytetin e Muxhos, në Itali. Ngjarja e rëndë është regjistruar rreth orës 14.00, të ditës së sotme, në një nga parqet e qytetit (në foto parku ku ndodhi plagosja).
Policia italiane ka bërë të ditur vetëm moshën e 27 vjeçarit shqiptar, por nuk ka zbardhur ende identitetin e tij.
I riu është dërguar me urgjencë në spitalin e Monzës dhe i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Sipas mjekëve, ai ka humbur shumë gjak dhe është në gjendje kritike për jetën.
Sipas medieve italiane, policia, kur ka mbërritur në vendngjarje, ka gjetur të shtrirë përtokë të plagosurin, ndërkohë që agresori ishte larguar në drejtim të paditur.
Ende nuk dihen motivet e këtij atentati dhe identiteti i personit që qëlloi mbi të riun shqiptar.





