Persona të paidentifikuar sulmuan mbrëmjen e të premtes në qytetin e Lezhës, ish-oficerin e Policisë Andi Markun, aktualisht drejtor në Prefekturën e Lezhës. Ngjarja ndodhi kur 42-vjeçari po i drejtohej banesës së tij.

Katër persona me një makinë me targa të Kosovës, i kanë zënë rrugën dhe më pas e kanë goditur me sende të forta dhe mjete prerëse. Autorët u larguan në errësirë, ndërsa për ngjarjen policia nisi hetimet.

I dëmtuari u dërgua për mjekim në spitalin e Lezhës dhe më pas në spitalin e Traumës në Tiranë. Gjendja e tij mësohet se është jashtë rrezikut për jetën. 

Ky është sulmi i dytë që i bëhet ish-oficerit të policisë brenda pak muajsh. Më 7 maj të këtij viti, persona të paidentifikuar i vunë flakën makinës së tij “Mercedes- Benz”, të parkuar në oborrin e prefekturës. Autorësia e kësaj ngjarjeje ende nuk është zbuluar nga policia. Marku prej disa vitesh kryen funksione të ndryshme në Prefekturën e Lezhës, ndërsa më parë ka kryer funksione të ndryshme në Drejtorinë e vendore të Policisë së Lezhës.

/Tv Klan/