Mondi Gjoka, babai i katër fëmijëve të mitur që u vetëvra pak pas mesnatës në Manëz të Durrësit, pasi qëlloi me automatik bashkëshorten e tij 38-vjeçare Lumturie Gjoka duke e lënë të plagosur rëndë, ishte një njeri i qetë dhe nuk ka pasur kurrë më parë konflikte.

Burime zyrtare policore bënë me dije për “DurrësLajm”, se viktima nuk ka pasur precedentë penalë të mëparshëm. Mondi Gjoka, sipas policisë së Durrësit, ishte person duarartë, i cili punonte në një punishte druri. Më parë kishte punuar si emigrant në Greqi, dhe kohët e fundit i kishte hapur bashkëshortes një parukeri, në të cilën ajo ushtronte profesionin e saj.

Ishin një familje e qetë dhe viktima një person i urtë, i cili mbi të gjitha shquhej për talentin e tij.

Askush nuk  e priste nga ana e tij këtë akt të rëndë. Gjithçka që ndodhi ishte si pasojë e pijes së tepruar, e cila stimuloi viktimën të niste një sherr banal me të shoqen, për të përfunduar më pas në tragjedi, pohuan burimet policore.