Gruaja e 59-vjeçarit shqiptar, Petro Çako, i cili një ditë më parë plagosi infermieren greke në Athinë dhe më pas u vetëvra, ka folur për shtypin grek duke arsyetuar veprimin e burrit të saj.

Sipas bashkëshortes së shqiptarit, burri i saj mendonte se ishte operuar gabim dhe ishte revoltuar me stafin e spitalit.

59-vjeçari ishte diagnostikuar me kancer në mushkëri marsin e kaluar dhe më 19 gusht të këtij viti iu nënshtrua një operacioni.

Duke folur për të përditshmen “Kathimerini”, gruaja e shqiptarit  ka sqaruar se burri i saj nuk vuante nga probleme të shëndetit mendor, sikurse dyshoi policia greke. Por ditët e fundit ai mendonte se i ishte nënshtruar padrejtësisht operacionit.

Petro Çako ndodhej i shtruar në spitalin Atikon, në Greqi. Një ditë më parë, ai thërriti për ndihmë infermieren dhe po e priste pas dere dhe sapo ajo hyri në dhomë, shqiptari e goditi me thikë dhe me grushte.

Më pas u ngjit në katin e pestë të spitalit dhe u hodh duke u vetëvrarë ndërsa infermierja 32-vjeçare mbeti e plagosur me dëmtime të rënda, por jo në rrezik për jetën.