Plagosi me armë zjarri kushëririn 24-vjeçar, rreth 3 muaj më parë në Shënvlash, kapet dhe vihet në pranga 33-vjeçari.

Si rezultat i kërkimeve dhe administrimit të informacioneve të inteligjencës policore, të kryera në vijim të megaoperacionit kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, me objektiv ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, Sektori kundër Krimeve të Rënda i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës lokalizoi, kapi dhe vuri në pranga shtetasin Ilir Buçeza, 33 vjeç.

33-vjeçari ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Durrësit, më datë 30.05.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Ngjarja ndodhi më datë 21.05.2024, kur gjatë një konflikti për motive të dobëta, në fshatin Shënavlash 33-vjeçari ka plagosur me armë zjarri, shtetasin Eduart Buçeza, 24 vjeç, të cilët janë djem xhaxhallarësh.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.