Këtë të premte u zhvillua seanca për vlerësimin e masës së sigurimit për Adriatik Bodinin, 55-vjeçarin që goditi me thikë bashkëshorten e tij, Mirjana Bodini, një ngjarje e cila ndodhi tre ditë më parë në shtëpinë e tyre në lagjen nr. 4 të qytetit të Sarandës.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, e drejtuar nga gjyqtari Mexhit Doçi, vlerësoi të ligjshëm arrestimin në flagrancë të Bodinit, i cili ishte ndaluar nga policia pas ngjarjes.

Në përfundim të seancës, gjykata vendosi caktimin e masës “Arrest në burg” për Adriatik Bodinin, duke e cilësuar atë si një masë sigurimi shtrënguese, sipas nenit 238 të Kodit të Procedurës Penale. Ky vendim është marrë për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, e parashikuar në nenin 88/2 të Kodit Penal.

Gjatë seancës, Bodini pranoi veprimin e tij, duke shpjeguar se incidenti ka ndodhur pas një grindjeje familjare. Ai është punëtor ndërtimi dhe kohët e fundit ka punuar në Piqeras. Në anën tjetër, bashkëshortja e tij, Mirjana Bodini, 51 vjeç, ndodhet ende në spitalin e Vlorës për trajtim mjekësor. Ajo është mësuese nga profesioni, ndërsa çifti ka një djalë.