Shkodër, 25 korrik 2014 – Plagosi nënën dhe vëllain, vihet në pranga autori i ngjarjes. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme në fshatin Kir të Shkodrës. Mësohet se konflikti mes autorit Kol Qershia dhe familjarëve të tij ka qenë për motive pronësie.
Sipas policisë, konflikti mes Kol Qershisë 25 vjeç dhe vëllait të tij Martinit 19 vjeç ka ndodhur për motive pronësie, ndërsa është përshkallëzuar kur 25 vjeçari me armë zjarri ka plagosur vëllanë dhe nënën, Lina Qershia, 57 vjeç, të cilët ndodhen në Spitalin Shkodër në gjëndje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën.
Sherri në familje nuk përfundon këtu, pasi djali tjetër i familjes Mirash Qershia 23 vjeç, ka ndërhyrë në momentin e konfliktit duke i marrë armën vëllait Kol Qershia, dhe ka qëlluar në drejtim të tij, duke e plagosur, por gjendja e tij raportohet jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas krimit, 23 vjeçari është larguar nga shtëpia, ndërsa është shpallur në kërkim nga policia dhe po punohet për kapjen e tij.
Njoftimi për këtë ngjarje të rëndë është bërë nga vetë banorët e zonës, të cilët kanë lajmëruar policinë pasi kanë dëgjuar të shtëna armësh që vinin nga banesa.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





