14-vjeçari M.K. i cili dy ditë më parë plagosi rëndë me thikë në zemër 15-vjeçarin E.B. në lagjen nr.14//1 në Durrës do të mbetet në burg.

Ai ka dalë sot para gjykatës së Durrësit për vleftësimin e ligjshëm të arrestit nga ana e bluve të qytetit bregdetar. Gjyqtari Elvis Sulejmani, gjatë seancës që është zhvilluar me dyer të mbyllura, për shkak të pranisë së të miturit në sallën e gjyqit, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për të miturin M.K.

I mituri është i dyshuar për kryerjen e veprave penale të parashikuar nga neni 76-22 e 279/2 të Kodit Penal”.

Ndërkohë, 15-vjeçari që mbeti i plagosur rëndë gjatë sherrit, që dyshohet se lindi prej komenteve në rrjete sociale ndodhet në reanimacionin e spitalit të Durrësit, në gjendje të stabilizuar. Gjendja e tij monitorohet vazhdimisht nga mjekët, sepse adoleshenti ka marrë dy plagë në zemër dhe ndërhyrja kirurgjikale që e mbajti në jetë u konsiderua nga spitali si rast suksesi.

Si ndodhi ngjarja?

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një konflikt të ndodhur më datë 25.11.2025, në lagjen nr. 14/1, në rrugën “Lugina e Karavastasë”, organizuan punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.

Nga veprimet e para hetimore të kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Durrës, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës, rezultoi se gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi i mitur M. K., 14 vjeç, banues në Durrës, dyshohet se ka goditur me mjet prerës (thikë) shtetasin E. B., 15 vjeç, duke i shkaktuar atij plagë të rënda. I dëmtuari aktualisht ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës, nën kujdesin e mjekëve.

Pas identifikimit të autorit, shërbimet e Policisë kontrolluan në zonë dhe në ambiente të ndryshme, ku pas disa orësh bënë të mundur lokalizimin dhe kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit M. K., 14 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.”,- njoftoi policia një ditë më parë.