TIRANË – “Unë kam qenë i dehur, nuk e di se çfarë kam bërë”,- ka qënë kjo deklarata që Fitim Alla, njëri prej të akuzuarve për plagosjen e shefit të krimit të Matit Musa Skura ka bërë para trupës gjyqësore të Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila zhvilloi sot seancën me dyer të mbylluara ndaj tre të akuzuarve të çështjes.
Gjyqtari Ardit Mustafaj, pas dëgjimit të pretendimit të akuzuarit caktoi masën e sigurisë “Arrest me burg” për një nga të dyshuarit për plagosjen e Skurës. Seanca gjyqësore fillimisht u mbajt me dyer të hapura, por për shkak të rëndësisë së sekretit hetimor, gjyqtari kërkoi mbajtjen e seancës me dyer të mbyllura.
Shefi i Krimeve të Policisë së Burrelit, Skura, u plagos pasditen e së dielës në fshatin Suç, gjatë një operacioni për arrestimin e disa personave të kërkuar. Ai është dërguar për kurim në Itali, pasi gjendja e tij shëndetësore mbetet e rëndë.





