Ministri i Brendshëm italian Salvini ka reaguar në lidhje me plagosjen e 16-vjeçarit shqiptar, i cili u qëllua me armë zjarri gjatë kohës që po tentonte të grabiste një banesë.

Ministri italian është shprehur në rrjetet sociale se “mesa duket një ditë më parë është verifikuar episodi i parë i të drejtës së mbrojtjes së ligjshme. Një 16 vjeçar shqiptar, anëtar i një bande grabitësish është braktisur në prag të spitalit Poliklinik Gemelli, pasi ka marrë plagë zjarri. Më pyetën a më vjen keq. U përgjigja se nëse 16 vjeçari nuk do bënte grabitësin tani do të ishte mirë e duke parë spektaklin “Kërcim me Yjet”.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në komunën e Monterotondos në provincën e Romës, ku 29 vjeçari Andrea Pulone, arriti të kap grabitësin shqiptarë në banesë dhe e ka qëlluar atë me pistoletë.

I plagosuri është identifikuar si Enrico. P, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Italiani pasi qëlloi 5 herë me armë ndaj adoleshentit shqiptar, dy prej plumbave në trup, ka njoftuar policinë. Pas plagosjes Enrico. P është transportuar në hyrje të spitalit dhe më pas është braktisur.

Ndërkohë, autoritetet po punojnë për identifikimin e personave që kanë transportuar shqiptarin në spital, pasi dyshohet se dhe ata kanë lidhje me bandën e grabitjes ku bënte pjesë 16-vjeçari.