Policia e Tiranës ka vënë në pranga Erisjaldo Gjuta 22 vjeç, i dashuri i 18-vjeçares, e cila një ditë më parë u vetëplagos me armë zjarri, në hotelin “Gjuta” në zonën e Saukut.
Sipas bluve të kryeqytetit, i riu akuzohet për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit”.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, kapën dhe ndaluan shtetasin Erisjaldo Gjuta 22 vjeç, i shpallur në kërkim ditën e djeshme për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit”, informon policia.
NGJARJA
Vajza ka qenë vetëm në dhomë të gjumit kur ka marrë armën dhe ka qëlluar veten. Sajmir dhe Erisjaldo Gjuta kanë qenë jashtë dhe kanë dëgjuar të shtënat. Kur kanë hyrë te dhoma, kanë parë vajzën të vetëplagosur dhe kanë thirrur edhe anëtarët e tjerë, Mirvete dhe Vladimir Gjuta dhe kanë vendosur që të pastrojnë vendin e ngjarjes.
Ata mësohet se kanë marrë e fshehur armën, kanë larë gjakun, ndërsa Mirvetja me Elvirin janë nisur me makinë për ta dërguar në spital dhe janë porositur të deklarojnë që “vajzën e kanë gjetur të shtrirë te rrethi i Ekonomikut”. Pas hetimit, rezultoi se vajza në fakt ishte vetëplagosur në hotelin e tyre.
Kujtojmë se lidhur me ngjarjen, sipas njoftimit të policisë, në pranga kanë rënë dy persona, Mirvete Rexhmati Gjuta dhe Vladimir Gjuta.
Ende në kërkim janë: Sajmir Gjuta, 49 vjeç, Elvir Gjuta, 24 vjeç.
22-vjeçari Erisjaldo Gjuta, i dashuri i 18-vjeçares Natali Murati, është i biri i Sajmir Gjutës dhe Mirvete Rexhmati Gjutës. Ndërkohë, Vladimir Gjuta është xhaxhai i 22-vjeçarit, ndërsa Elvir Gjuta, kushëri i tij.
Ndërkohë, vijon puna për gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit të përdorur në ngjarje.





