Komisioneri Evropian për Politikë të Fqinjësisë dhe Zgjerim Oliver Varhelyi ka reaguar për plagosjen e dy të rinjve serbë në Kosovë.

Përmes një postimi në Twitter, Varhelyi thotë se është i shokuar nga sulmi ndaj fëmijëve në Shtërpcë. Ai thekson se nuk ka asnjë justifikim për dhunë duke iu uruar shërim sa më të shpejtë të plagosurve.

“Jam i shokuar nga sulmi ndaj dy fëmijëve sot në Shtërpcë. Nuk ka asnjë justifikim për dhunën. Shërim sa më të shpejtë! Besoj se autoritetet e Kosovës do ta hetojnë plotësisht”-shkruan komisionari evropian.

Dy të rinjtë u plagosën sot me armë zjarri në fshatin Drajkovc të Shtërpcës, komunë kjo e banuar me shumicë serbe. Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se në rastin e ndodhur në Shtërpcë, ku u plagosen dy persona, i përfshirë është një pjesëtar i FSK-së.

Sipas njoftimit të policisë, rreth orës 15:20 më 6 Janar, ndaj dy personave, njëri rreth 11-vjeçar dhe tjetri rreth 21-vjeçar, është shtënë me armë zjarri nga të dyshuar, të cilët ishin me një automjet në lëvizje, që po qarkullonte nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt. Sipas policisë, makina më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Lidhur me rastin Policia e Kosovës ka identifikuar e më pas kanë arrestuar të dyshuarin me inicialet A.K. i moshës 33-vjeçar. I dyshuari është shoqëruar në Policinë Rajonale të Ferizajt.