Policia e Elbasanit në bashkëpunim me efektivët e komisariatit të Policisë Cërrik kanë vënë në pranga dy autorët e plagosjes së dy personave mbrëmjen e kaluar në “Kryqëzimin e Yllit” në Cërrik.

Ilborjan Fejzullau, 28 vjeç dhe Bruno Hyseni, 32 vjeç janë kapur në lagjen “Iliria” në Plazhin e Durrësit.

Mësohet se Hyseni dhe Fejzullau janë kunetër me njëri-tjetrin. Sipas policisë, 32-vjeçari Hyseni është autori kryesor i plagosjes me armë zjarri, ndërsa kunati i tij është bashkëpunëtor.

Mbrëmjen e kaluar u plagosën me pistoletë pas një konflikti fizik shtetasit G.K. dhe J.R.

Operacioni për kapjen e tyre ka vijuar gjithë natën në ndjekje të tyre. Në operacion u angazhuan 30 forca policie të Cërrikut dhe të Forcës së Posaçme Shqiponjat nga DVP Elbasan.