Vizita e Edi Ramës në qytetin e Fierit nxori në protestë mbështetësit e Partisë Demokratike si dhe qytetarë. Por gjatë këtij tubimi pati edhe përplasje mes policisë dhe protestuesve.

Teksa protestuesit tentuan të çanin kordonin e policisë një efektiv i policisë u godit me gur në kokë. Duke folur me megafon kryetari i PD-se, Fier, Luan Baçi tha se policia po provokon protestuesit.

“Kjo është e turpshme. Efektivët e policisë janë futur mes protestuesve, nuk duam konflikt me vëllezërit tanë. Nuk ka për ta gjetur gjë. Nuk do shkojmë aty ku është Rama",- tha Baçi.

Ndërkohë policia e Fierit bën me dije se grupi hetimor do të analizojë provat dhe pamjet filmike për të vënë para përgjegjësisë ligjore autorët e sulmit ndaj punonjësit të rendit.

Njoftimi i policisë:

Sot paradite, në vendin e quajtur “ETC” u grumbulluan për të protestuar rreth 150 protestues me pankarta dhe zhurmues.

Gjatë protestës pati tentativa për të çarë kordonin policor, si dhe u goditën me sende të forta forcat e Policisë.

Për pasojë u plagos në kokë një punonjës policie i FNSH-së, i cili po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Fier

Grupi hetimor do të analizojë provat dhe pamjet filmike për të vënë para përgjegjësisë ligjore autorët e sulmit ndaj punonjësit të rendit.