Gjykata Penale e Tiranës ka caktuar masat e sigurisë për dy adoleshentët e arrestuar dy ditë më parë pas një konflikti mes bashkëmoshatarëve pranë gjimnazit “Ibrahim Rugova” në Kamëz.
Gjyqtarja Marinela Osmani e mori vendimin në seancën e sotme, e cila u zhvillua në praninë e psikologut. Kështu u dha vendimi “arrest në burg” për njërin nga 16-vjeçarët që u arrestua për sherrin dhe plagosjen e dy bashkëmoshatarëve të tjerë.
Ndërkohë, për të miturin tjetër është vendosur masa e sigurimit “arrest në burg me afat 1-mujor“, pasi edhe ai vetë është i lënduar dhe mbrojtja ka pretenduar se ai nuk ka qenë pjesë e sherrit, por ka ndërhyrë për t’i ndarë.
Derisa të sqarohen rrethanat e plota të sherrit mes adoleshentëve, gjykata i caktoi masë me afat.
Sjellim ndërmend se ngjarja ka ndodhur më 2 tetor në bulevardin “Nënë Tereza” në Kamëz, ku në sherr u përfshinë pesë 16-vjeçarë. Dy prej tyre u arrestuan për përdorim të mjeteve prerëse dhe dhunë fizike ndaj tre të tjerëve.





