Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i hedhjes së kapsollës gjatë protestës së djeshme para Kuvendit, që i shkaktoi dëmtimin e gishtave të dorës efektives së policisë Ina Nuku.
Burime nga prokuroria e Tiranës që po merret me hetimin e akteve të dhunës në protestë bëjnë me dije se autori është identifikuar pas kqyrjes së pamjeve filmike.
Gjatë protestës së të enjtes mbetën të plagosur edhe 11 efektivë të tjerë të policisë si dhe 3 protestues. Në ambientet e spitalit vazhdojnë të marrin mjekim vetëm 2 punonjës policie, ndërsa pjesa tjetër bashkë me 3 protestuesit janë larguar pasi morën ndihmën e parë.
Pas përfundimit të protestës ekspertët kriminalistë shkuan në vendngjarje dhe konstatuan se kapsollat që u hodhën drejt punonjësve të policisë kishin në përbërje sasi të lartë baruti. Prokuroria e Tiranës ka regjistruar kryesisht procedim penal ndaj 11 protestuesve për 5 vepra penale, “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë’’, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme dhe prishje e qetësisë publike”.





