Spitali Rajonal Durrës ka dhënë detaje lidhur me plagosjen e rëndë të 15-vjeçarit E.B. i cili u plagos nga një adoleshent 14-vjeçar, në zonën e ish-Kënetës në qytetin bregdetar.
Spitali e konsideron rast suksesi rikuperimin e të plagosurit adoleshent, i cili u paraqit në gjendje të rëndë me të çara në zemër pranë bluzave të bardha.
“Një 15-vjeçar mbërriti në urgjencë në gjendje tejet kritike, me plagë të shumta penetruese dhe organe të dëmtuara nga mjeti prerës. Zemra kishte dy çarje nga 2 cm me tamponadë kardiake, ndërsa në regjionin e corpus ventrikuli u konstatua një çarje 3 cm në stomak. Gjendje kufi.
U fut menjëherë në sallë dhe ekipi kirurgjikal realizoi një ndërhyrje të vështirë, ku u menaxhuan dëmtimet jetike dhe u rikthye stabiliteti hemodinamik. Reagim i shpejtë, i pastër, pa humbur asnjë minutë.
Mirënjohje për kirurgët F. Shini dhe E. Demiraj, si dhe për anestezistin A. Banushi, që e çuan rastin drejt suksesit me profesionalizëm dhe qetësi operative. Pacienti aktualisht po trajtohet në Reanimacion në gjendje të stabilizuar.
![]()
![]()
Ekip i fortë. Vendimmarrje e shpejtë. Jetë e shpëtuar.“,- shkruan spitali në një reagim në rrjete sociale.
Si ndodhi ngjarja?
Një konflikt që dyshohet se nisi në rrjetet sociale mes dy adoleshentëve përfundoi në një përleshje të dhunshme në rrugën “Laguna e Karavastasë”, në zonën e ish-Kënetës në Durrës, ku një 15-vjeçar me iniciale E.B., mbeti i plagosur rëndë. Burime për mediat bëjnë me dije se dy adoleshentët e përfshirë në konflikt u takuan me shokët e tyre për t’u “sqaruar”, por debati i nisur në rrjetet sociale u përshkallëzua në përleshje fizike.
Gjatë sherrit u përdorën sende të forta dhe, sipas policisë, një 14-vjeçar me inicialet M.K. goditi 15-vjeçarin me thikë katër herë, duke i shkaktuar plagë të rënda.
Autori i dyshuar është arrestuar menjëherë nga Policia e Durrësit, ndërsa viktima ndodhet në Spitalin Rajonal nën kujdesin e mjekëve, në gjendje të rëndë.





