Shumë më pak pensionistë ishin sot në lulishten përballë Filialit të Postës Shqiptare në Durrës, në lagjen nr.11. Plagosja e rëndë e një të moshuari, e regjistruar një ditë më parë, por edhe reshjet e shiut duket se kanë ndikuar në reduktimin e numrit të tyre.

Dy protagonistët e ngjarjes së rëndë i njohin dhe ndihen të keqardhur, që konflikti verbal mes tyre degjeneroi deri në plagosjen e rëndë të 70-vjeçarit F. T. dhe arrestimin e shtetasit A. Sh., të cilët janë komshinj njëri me tjetrin.

Burime policore bëjnë të ditur se prej kohësh dy komshinjtë kishin konflikte verbale mes tyre, të nxitura nga 70-vjeçari, që mbeti i plagosur. Pas debateve të shumta, sherri degjeneroi një ditë më parë në plagosjen me thikë të shtetasit F.T., që ndodhet nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Durrësit.

Shokët e tyre të lojërave me letra, domino apo shah kërkojnë nga bashkia përmirësimin e kushteve në të vetmen hapësirë publike, ku mblidhen pjesa më e madhe e tyre. Indiferenca institucionale ndaj moshës së tretë sjell sipas tyre rëndimin e gjendjes psikologjike të të moshuarve.

Pak ditë më parë, “DurrësLajm” trajtoi mungesën e kushteve minimale për qëndrimin komod të pensionistëve në një nga të vetmet hapësira publike të qytetit bregdetar, ku ata mund ta kalojnë kohën e lirë nën shoqërinë e njeri-tjetrit.

M.B.