Pas ngjarjes së ndodhur në Shëngjin, ku një aktivist i LSI-së u sulmua me armë para qendrës së votimit, ka reaguar ashpër nënkryetari i LSI-së, Luan Rama.

Duke e cilësuar një rast të përsëritur këtë ngjarje kriminale, Luan Rama bëri përgjegjës Kryeministrin Edi Rama dhe kreun e policisë Çako.

Në një dalje për mediat, ai tha se aktivisti i tyre u plagos nga tre persona të armatosur, që siç tha Rama, “janë pjesë e një grupi të njohur kriminal të rilindjes që prej ditësh vepron në mbrojtjen e strukturave kriminale të policisë së shtetit në atë qark”.

“Aktivistë plagosen nga e njëjta bërthamë kriminale që vepron atje, nga njerëz të armatosur, që në ditën për diell shkojnë pa pasur asnjë pengesë me gjithë të ashtuquajturat shërbime të përforcuara të policisë. Ky është vetëm njëri prej rasteve, produkt i klimës së inkriminuar të rilindjes. Ashtu si ka ndodhur deri më sot për cdo pikë gjaku të derdhur në Lezhë apo kudo tjetër, përgjegjësia bie mbi direkt mbi Kryeministrin Rama dhe Haki Çakon, sepse i është kërkuar Haki Çakos ta shkarkojë ekipin e policisë së Lezhës pas një morie rastesh kriminale atje, edhe me mbështetjen e policisë dhe nuk ka reaguar”, deklaroi Luan Rama.