Mbrëmjen e të mërkurës, nënë e bir, Valbona dhe Flamur Çerma u qëlluan me armë zjarri poshtë pallatit të tyre në lagjen nr. 12 në Durrës nga fqinji, Ergys Juba i cili ishte zhvendosur nga Peqini në qytetin bregdetar pak kohë më parë.
Mollë sherri për ngjarjen me dy të plagosur dhe dy të arrestuar u bë një vendparkimi poshtë pallatit, ku në katin e parë banon familja Çerma dhe në katin e dytë familja Juba.
Një ditë pas ngjarjes, kryefamiljari Çerma tregon se në momentin që ka ndodhur sherri, ai dhe djali i plagosur sapo ishin kthyer nga puna.
“Nuk largonte makinën, i kemi thënë një herë, i kemi thënë dy herë. U ngrit vëllai i tij dhe bëri atë që bëri. Sa erdha nga puna me djalin, nusja ishte duke nderë rrobat. U çu dhe tha: Ju jeni njerëzit që jeni ngatërruar me vëllain tim edhe gjuajti. Aq burrë ishte. Një kokër legeni.”
51-vjeçarja, Valbona Çerma e ka lënë spitalin. Ajo thotë se ishte duke nderë rrobat kur fqinji Ergys Juba plagosi djalin e saj të vogël me armë zjarri dhe plumbi e kapi edhe atë, pas sherrit që kishte bërë me djalin e madh.
“Unë isha afër djalit, po ndeja rrobat. Në atë kohë vjen im shoq me djalin nga puna edhe i tregoj që është zënë ky (fqinji) me djalin e madh. Në momentin që po u tregoja unë Gonit, vëllai i vet zbret nga poshtë dhe i drejtohet djalit tjetër që sa erdhi nga puna dhe i tha; Ti i ke gjujt vëllait tim? Jo i tha djali, unë sa erdha nga puna. Ai kaloi nga mbrapa dhe i gjuajti me pistoletë. I gjuajti djalit nga mbrapa edhe plumbi më ra edhe mua. Unë plumbin e kam në këmbë.”
Valbona tha se Flamuri ndodhet ende në spital pasi ka marrë plagë në të dyja këmbët. Ajo tregoi edhe bisedën më të birin, i cili ka thënë që do të hakmerret ndaj autorit që e plagosi.
“Djali është akoma në spital. Të dyja këmbët i ka të plagosura. Nuk e di sesi do të bëhet. Çunat janë egërsuar shumë. Djali i vogël tha njeri mbrapa nuk do lë, këto dhimbje që po heq unë tani do t’i heqë edhe ai. Po mua si nënë nuk më vjen mirë. Ata do bëjnë mirë që të mos shkelin më këtu, të gjejnë vend e të futen sepse i sollën vetë gjërat në këtë gradë.”, thotë ajo.
Mëngjesin e sotëm policia njoftoi se ka arrestuar në flagrancë shtetasin Ergys Juba si autor kryesor të plagosjes së Valbona dhe Flamur Çerma, nën dhe bir.
Si pasojë e sherrit që ka nisur fillimisht me sende të forta, ka mbetur i lënduar dhe shtetasi Zyber Juba, vëllai i autorit të dyshuar.
Për shkak të errësirës në zonë, dhe numrit të madh të personave që janë përfshirë në konflikt, fillimisht Policia raportoi se autori i plagosjes së dyfishtë ishte Zyber Juba, por me hetimin e prokurorisë u arrit në përfundimin se me armë ka qëlluar shtetasi Ergys Juba.
Në kuadër të këtyre hetimeve, Policia ka shpallur në kërkim dhe dy persona të tjerë, një prej tyre vëllai i autorit, të cilët dyshohet se kanë qenë bashkëpunëtorë në këtë ngjarje.
Po ashtu është proceduar dhe shtetasi O. Çerma, vëllai i Flamurit, që ka goditur me sende të forta Zyber Jubën.
Zbardhja e plotë e ngjarjes ka saktësuar dinamikën e sherrit të mbrëmshëm i cili sipas policisë fillimisht ka nisur midis shtetasit O. Çerma dhe Zyber Juba.





