Një sherr për motive të dobëta që përfundoi me plagosjen e një 46-vjeçari ka vënë në lëvizje Policinë e Librazhdit, duke çuar në arrestimin e autorit dhe të personave që tentuan të pengonin zbardhjen e ngjarjes.

Gjithçka ka nisur mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:20, në afërsi të urës së qytetit, ku shtetasi H. D., 75 vjeç, ka goditur me thikë shtetasin S. M.

Pas njoftimit marrë për konfliktin, shërbimet e komisariatit organizuan menjëherë punën, duke bërë të mundur kapjen në flagrancë të moshuarit, i cili tashmë akuzohet për plagosje të rëndë me dashje, ndërkohë që i dëmtuari ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Hetimet e shpejta zbuluan se ngjarja u shoqërua me tentativa për të fshehur provat, çka solli edhe arrestimin e shtetasit A. H., 48 vjeç, i cili dyshohet se ka fshehur mjetin e krimit dhe nuk ka njoftuar policinë. Nuk ka shpëtuar as bashkëshortja e tij, shtetasja E. H., ndaj së cilës ka nisur procedimi penal pasi dyshohet se ka bashkëpunuar për fshehjen e thikës dhe ka refuzuar të tregojë të vërtetën mbi rrethanat e konfliktit.

Nën hetim është vënë edhe vetë i dëmtuari, 46-vjeçari S. M., pasi ka zgjedhur të mos bashkëpunojë me drejtësinë duke mos kallëzuar krimin.