DURRËS, 3 prill 2014 – Hallet në vendin e tyre bosët italianë të anijeve të peshkimit duan ta zgjidhin në ujërat e Durrësit.
Kriza e rëndë në sektorin e peshkimit ka detyruar disa pronarë peshkatoresh nga qyteti italian i Çivitanovës në rajonin e Markes të hyjnë në bisedime me autoritetet shqiptare për të kaluar aktivitetet e tyre në anën tjetër të Adriatikut sa më shpejt të jetë e mundur, njofton e përditshmja italiane “il Resto del Carlino”.
Gazeta thotë se ka pasur kontakte të drejtpërdrejta në vendin e shqiponjave me përfaqësues ministrish të ndryshme, duke filluar me dikasterin që mbulon peshkimin (Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave).
Sipas së përditshmes bolonjeze, ballkanasve u është propozuar një “paketë”' prej 8 anijesh, kryesisht për zënien të atyre lloj peshqish që italianët i quajnë të kaltër / blu (pesce azzurro) sikurse janë sardelja, açuget, skumbri, stavridhi etj.
Propozohet që 8 peshkatoret të çohen në Durrës, me ekuipazhe gjysmë përgjysmë, vendas dhe italian.
Armatorët apeninas të peshkimit kërkojnë edhe masa favorizuese nga Roma, meqë “Çizmja” është shtet i BE-së, duke u mundësuar të shesin peshkun jo vetëm në Shqipëri po dhe në tregjet komunitare.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





