Ditëve me diell që na shoqëruan gjatë javës, ia kanë zënë vendin ato me reshje shiu. Por si pritet të jetë fundjava?
Meteorologu Hakil Osmani nga “MeteoAlb” thotë se dita e shtunë pritet të jetë nën mbizotërimin e vranësirave ku mund të kemi edhe reshje shiu në pjesën e dytë të ditës, ndërsa e diela pritet të jetë me reshje shiu, por jo me intensitetin e mëngjesit të sotëm.
Hakil Osmani: Jo vetëm kryeqyteti, por i gjithë territori shqiptar që në orët e para të mëngjesit ka nisur nën mbizotërimin e këtyre vranësirave të dendura, të cilat kanë gjeneruar reshje shiu herë pas here edhe në formën e rrebesheve, të shoqëruara me ministuhi të forta ere.
Parashikohet që edhe pjesa tjetër e ditës të mbetet me mot të paqëndrueshëm edhe pse orët e mesditës pritet që të sjellin një përmirësim të përkohshëm ose një pauzë të reshjeve, por sërish pasditja dhe mbrëmja aspiron vranësira duke sjellë reshje të cilat më të dukshme kanë qenë në zonat veriperëndimore, në qytetin e Shkodrës, Lezhës, por po ashtu edhe zona qëndrore ka marrë reshje të konsiderueshme. Mëngjesin e sotëm mbeten prezente dhe të dukshme gjatë ditës së sotme në këto zona.
Përsa i përket ditës së shtunë dhe ditës së dielë do të vijojë moti i paqëndrueshëm. Do të kemi vranësira të shpeshta, të cilat herë pas here do të pësojnë zhvillime duke sjellë reshje shiu në pjesën e dytë të ditës së shtunë do të jenë më të dukshme, ndërsa ditën e dielë pritet të kemi reshje shiu herë pas here, por në sasira më të pakta dhe nuk do të kemi këto reshje që përjetuam gjatë mëngjesit të sotëm./