Ndryshe nga ditët e kaluara, situata politike sot duket e qetë.
Ca nga fundjava që po afron, ca nga mungesa e retorikës së ashpër politike – dita e premte ngjan si qetësia para furtunës.
Opozita ka paralajmëruar një protestë masivë në orën 11 në Kavajë. Sipas të gjitha gjasave pritet të ketë përplasje.
GSH.al zbulon se plani i opozitës për “mosbindje civile” dhe mbajtje të premtimit që “nuk do të ketë zgjedhje më 7 maj” do të nisë që nga e shtuna.
Pikërisht nesër, pritet të transportohen materialet zgjedhore, kuti dhe fletë votimi në KZAZ-në e Kavajës e më tej nëpër qendra e votimit.
Grupe të organizura nga opozita pritet të pengojnë shpërndarjen e materialeve zgjedhore në mesnatë, në mënyrë që të bëhet i pamundur votimi ditën e diel.
Në këtë mënyrë, Partia Demokratike do të bëjë të pamundurën për të shmangur përballjen civile nëpër qëndra votimi me banorët e Kavajës që do të duan të votojnë. Kjo, jo vetëm do rrezikonte përplasje mes palëve por do të jepte një mesazh negativ për Shqipërinë që do të ngulet para TV, sikur PD-ja nuk po lejon ushtrimin e të drejtës kushtetuese të votës.
Ndaj, lidershipi i PD-së ka vendosur që “përballja” të jetë me shtetin, me policinë. Bllokimi i automjeteve që do të bëjnë shpërndarjen e kutive të votimit, regjistrave, fletëvotimeve etj., pritet të jetë fillesa e protestës në Kavajë. Më pas, ajo do të kulmojë me mitingun e orës 11, të dielën, në qendrën e qytetit.





