Sistemi planetar i yllit Fomalhaut, i cili ndodhet në jug të kostelacionit të Peshqve rreth 25 vite drite larg nga Dielli, nuk rresht së habituri astronomët. Tani ata janë duke vrarë mendjen në lidhje me orbitën tejet të çuditshme të “planetit zombi” – Fomalhaut-bi. Edhe në 20 vitet e ardhshme shkencëtarët i presin shumë surpriza të reja.

Fillimi i "Sagës së Fomalhaut" (angl. The Saga of Fomalhaut) quhet viti 2008. Astronomë të Universitetit amerikan të Kalifornisë në Berkli (Berkeley) analizuan imazhet e yllit të njohur tashmë prej kohësh dhe diskut prej gazi dhe pluhurit përreth tij, të marra me ndihmën e teleskopit orbital “Hubble”. Përfundimi në të cilin arritën ata ishte i tillë: drejt e në sfondin e diskut po lëviz planeti që u pagëzua me emrin Fomalhaut-bi. Pas gazetarëve perëndimorë, shkencëtarët e kanë quajtur atë “planeti zombi”.

Në shtyp ka pasur mendime se planeti mund të jetë i banuar nga disa krijesa të caktuara. Por jetë si në Tokë atje zor se mund të ketë – më shumë gjasa ka që ky të jetë një “gjigant gazi” me masë rreth dy herë më të madhe se ajo e Jupiterit. Në planetin Fomalhaut-bi është gjithashtu errët dhe bën ftohtë: duke lëvizur nëpër një orbitë në formë shumë të zgjatur (tepër ovale) planeti i largohet shumë yllit. Një rrotullim i tij, domethënë një vit lokal, zgjat 2000 vjet.

Disa shkencëtarë besojnë se sistemi i yllit Fomalhaut po përjeton aktualisht të njëjtë gjë që ka përjetuar Sistemi diellor 4 milionë vjet më parë.

Sipas llogaritjeve të astronomëve, “planeti zombi” do të kalojë në vitin 2032 përmes diskut prej gazi-pluhur rreth yllit Fomalhaut. Nëse trajektorja e lëvizjes do të kalojë pothuajse tangencialisht, atëherë vëzhguesit tokësorë i pret një shou madhështor mbresëlënës fishekzjarrësh: planeti do të ndeshet për një kohë të gjatë me një numër të madh copëzash prej akulli dhe fragmentesh shkëmbore që përmbahen në unazën rrethuese. Do të jenë të dukshme, veçanërisht në dritën infra të kuqe, shpërthimet, vezullimet. Astronomët besojnë se studimi i tyre do të ndihmojë për të saktësuar strukturën e planetit dhe përbërjen e atmosferës së tij.