Më shumë se 70 organizata joqeveritare kanë kundërshtuar planin evropian për reformën e sistemit të imigracionit, i cili po shqyrtohet nga Parlamenti Evropian.

Në një deklaratë të përbashkët, ato paralajmërojnë se propozimi përbën një “kërcënim real dhe të menjëhershëm” dhe u bëjnë thirrje politikanëve evropianë ta refuzojnë atë.

Reforma, e promovuar nga Komisioni Evropian, parashikon krijimin e qendrave të paraburgimit jashtë kufijve të Bashkimit Evropian për personat të cilëve u refuzohet azili, të njohura si ‘qendra kthimi’. Po ashtu, propozimi përfshin masa më të rrepta ndaj atyre që refuzojnë të largohen nga territori i BE-së, si zgjatja e periudhës së ndalimit ose konfiskimi i dokumenteve.

Organizatat shprehin shqetësimin se zbatimi i reformës mund të çojë në praktika të ngjashme me ato të ndjekura nga ICE në Shtetet e Bashkuara, përfshirë bastisje policore dhe profilizim racor.

“Nuk mund të jemi të indinjuar me atë që ICE po bën në SHBA, ndërkohë që mbështesim praktika të ngjashme në Evropë”, deklaroi Michelle LeBois nga PICUM, një organizatë që mbështet personat pa dokumente të rregullta.

Nga ana tjetër, Brukseli ka hedhur poshtë kritikat, duke theksuar se masat e propozuara do të zbatohen në përputhje me të drejtat themelore të emigrantëve, ndërsa zyrtarët evropianë shtojnë se një pjesë e madhe e qytetarëve të BE-së i mbështesin këto masa.