Plani i menaxhimit të integruar të zonës arkeologjike A dhe B në Durrës pritet të zhvillohet në 3 faza dhe të zgjasë 7 vite.

Arkitekti Rand Eppich, që bëri një zbërthim teknik të planit të hartuar nga AADF, shpjegoi projektin afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë në këtë zonë.

Si një ekspert që i ka vizituar për një kohë të gjatë sitet e trashëgimisë kulturore të Durrësit, Eppich konstatoi se atyre u mungon një lidhje organike.

“Nuk dua ta nis prezantimin tim në mënyrë negative, por dua ta nis në mënyrë pozitive. Por Durrësi ka disa disavantazhe. Është i shkëputur nga e kaluara e tij e lavdishme. Prandaj ne synojmë që të gjitha sitet arkeologjike dhe monumentet t’i lidhim mes tyre përmes rrugicave urbane”,- tha ai.

Duke u ndalur tek objektivat kryesore të projektit të rëndësishëm për zonën arkeologjike, Eppich nënvizoi se grupi i punës ka përcaktuar tre të tilla.

“Objektivat e këtij projekti janë tre. I pari lidhet me ruajtjen dhe konservimin e siteve të trashëgimisë kulturore. I dyti lidhet me rritjen e mbrojtjes për këto monumente dhe i treti ka të bëjë me përmirësimin e përdorimit dhe vlerësimit të tyre”,- tha Eppich.

Në termat afatshkurtër, AADF parashikon ndërhyrjen në amfiteatër, forumin bizantin, banjat romake dhe rrugicat urbane.

Ndërkohë, në termat afatmesëm (3-4 vite) dhe afatgjatë (5-7 vite), plani i menaxhimit të integruar do të përqendrohet tek fortifikimet e qytetit dhe në kala. Në zonën arkeologjike A pritet të preken nga projekti 80 godina, ku parashikohen shembje dhe rijetësime të tyre, ndërsa në zonën B do të kryhen ndërhyrje për mbrojtjen e monumenteve apo siteve ekzistuese.

Plani i menaxhimit të integruar pritet t’i kushtojë një rëndësi të veçantë dhe arkeologjisë nënujore të Durrësit, për të cilën pak ose aspak është bërë përgjatë viteve të fundit.

M.B.